Qeveria shqiptare ka nisur zyrtarisht përgatitjet për një tjetër huamarrje të madhe në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Sipas Ministrisë së Financave, Shqipëria synon të emetojë një Eurobond me vlerë 650 milionë euro gjatë vitit 2027.

Në kuadër të këtij procesi, Ministria e Financave ka zhvilluar takimet e para me Erste Group, një nga grupet më të mëdha bankare në Evropën Qendrore dhe Lindore, i cili pritet të asistojë Shqipërinë në daljen e re në tregjet financiare.

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, bëri të ditur se në fokus të diskutimeve kanë qenë zhvillimet makroekonomike të vendit dhe strategjia për sigurimin e financimit në tregjet ndërkombëtare.

Huamarrja prej 650 milionë eurosh është parashikuar edhe në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal të miratuar nga qeveria dhe do t'i shtohet stokut aktual të borxhit të jashtëm.

Sipas të dhënave më të fundit, borxhi i jashtëm i Shqipërisë ka arritur në 10.344 miliardë euro, ndërsa Eurobondi i ri do të jetë i teti që nga viti 2010.

Dalja e fundit e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare u realizua në shkurt të vitit 2025, kur u emetua një Eurobond 10-vjeçar me vlerë 650 milionë euro, me interes 4.75%.

Ndërsa qeveria argumenton se Eurobondet përdoren për financimin e nevojave buxhetore dhe menaxhimin e borxhit publik, huamarrja e re pritet të shtojë edhe më tej ekspozimin financiar të vendit ndaj tregjeve ndërkombëtare.