Ka përfunduar pas rreth 4 orësh e 30 minutash takimi i zhvilluar në Kuç të Vlorës mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarëve të bashkive të përfshirë në diskutimet për reformën e re administrativo-territoriale.
Në takim morën pjesë kryetarë bashkish në rang qarku, si dhe drejtuesit e bashkive që, sipas projektit aktual, parashikohet të bashkohen me njësi të tjera vendore.
Sipas burimeve, diskutimet kanë qenë të gjera dhe janë fokusuar te kriteret e reformës, ndryshimet e propozuara në hartën e bashkive dhe argumentet e secilit kryetar për të ardhmen e njësisë që drejton.
Kryetarët e bashkive që rrezikojnë të mos ekzistojnë më si njësi më vete kanë paraqitur qëndrimet e tyre dhe arsyet se përse, sipas tyre, bashkitë duhet të vazhdojnë të funksionojnë të pavarura.
Në të njëjtën kohë, janë diskutuar edhe argumentet në favor të bashkimeve të propozuara, me fokus eficiencën administrative, ofrimin e shërbimeve dhe menaxhimin e burimeve vendore.
Në takim kanë marrë pjesë drejtuesit e bashkive Durrës, Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër, si dhe kryetarët e bashkive Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Cërrik, Belsh dhe Libohovë.
Sipas burimeve, kryeministri Rama ka zhvilluar diskutime me të gjithë kryetarët e pranishëm, ndërsa reforma territoriale pritet të vijojë në fazën e konsultimeve me bashkitë, komunitetet dhe aktorët e tjerë të përfshirë.
Takimi në Kuç vjen në një moment kur reforma e re ka shkaktuar kundërshtime të forta në disa prej bashkive që parashikohet të shkrihen, ku qytetarë, administrata vendore dhe vetë kryebashkiakë kanë dalë publikisht kundër ndryshimeve të propozuara.
Debati pritet të vijojë edhe në Kuvend, ku do të vendoset përfundimisht harta e re administrativo-territoriale dhe e ardhmja e bashkive të prekura nga reforma.





