Prodhimi vendas i qumështit ka shënuar rritje gjatë këtij viti, i nxitur kryesisht nga zgjerimi i fermave të mëdha dhe përmirësimi i produktivitetit. Megjithatë, përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se zhvillimi i mëtejshëm i blegtorisë po pengohet nga skema aktuale e TVSH-së.
Sipas tyre, fermat e vogla po reduktohen gradualisht, ndërsa prodhimi po përqendrohet gjithnjë e më shumë te fermat e organizuara, të cilat kanë mundësi më të mëdha për të investuar në zgjerimin e tufave dhe teknologji.
Një nga problemet kryesore lidhet me importin e kafshëve. Edhe pse TVSH-ja për importin është hequr, shumë fermerë të vegjël nuk mund të importojnë drejtpërdrejt, pasi procedura kërkon licencë.
Nëse ata zgjedhin t'i blejnë kafshët nga importuesit apo grosistët vendas, çmimit i shtohet TVSH-ja. Duke qenë se pjesa më e madhe e fermerëve të vegjël nuk janë subjekte të TVSH-së, ata nuk kanë mundësi ta kreditojnë këtë shumë, duke paguar në praktikë një kosto më të lartë për çdo kafshë.
Edhe fermat e mëdha që importojnë kafshë me TVSH zero përballen me të njëjtën problematikë kur i shesin ato te fermerët e vegjël, pasi transaksioni brenda vendit duhet të faturohet me TVSH.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, kjo situatë po e bën më të vështirë zgjerimin e tufave dhe përmirësimin e racave të bagëtive.
Një tjetër barrë lidhet me furnizimin me ushqim për kafshët. Fermat e mëdha blejnë një pjesë të konsiderueshme të bazës ushqimore nga fermerët e vegjël, por këto transaksione shpesh nuk krijojnë TVSH të kreditueshme.
Drejtues të fermave deklarojnë se përballen me detyrime që mund të arrijnë në 2 deri në 3 milionë lekë TVSH në muaj, duke ndikuar drejtpërdrejt në likuiditetin dhe aftësinë për të investuar.
Kritika ka edhe për normën 20% të TVSH-së mbi produktet e bulmetit. Përpunuesit argumentojnë se në shumë vende të rajonit ushqimet bazë tatohen me norma më të ulëta, gjë që i bën prodhuesit vendas më konkurrues.
Për këtë arsye, sektori kërkon që TVSH-ja për produktet e shportës ushqimore, përfshirë qumështin dhe nënproduktet e tij, të ulet në 8–10%.
Një tjetër propozim është krijimi i një mekanizmi që shitja e kafshëve nga importuesit te fermerët të realizohet me TVSH zero ose me një normë të reduktuar deri në 8%.
Përfaqësuesit e sektorit kërkojnë gjithashtu që fermerët të kenë mundësi të zgjedhin vetë kafshët që duan të blejnë dhe transaksioni të mos penalizohet nga TVSH-ja.
Sipas tyre, një rishikim i skemës fiskale do të krijonte më shumë hapësirë për investime, do të ndihmonte fermat e vogla të mbijetonin dhe do të nxiste rritjen e prodhimit vendas të qumështit dhe produkteve blegtorale.





