Tetë punonjës të sigurisë në IEVP Fier janë pezulluar nga detyra pas përplasjes së ndodhur të shtunën në ambientet e përbashkëta të burgut mes të dënuarve Denis Bajri, Aldo Gjini dhe Jurgen Zoto.
Vendimi është marrë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe përfshin kryeinspektorin dhe shtatë punonjës të tjerë që ndodheshin në shërbim në momentin e ngjarjes.
Të pezulluarit janë K/Inspektor G.B., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm, Inspektor Sh.H., përgjegjës turni, si dhe punonjësit e rolit bazë A.A., D.GJ., A.H., P.K., S.Ç. dhe A.S.
Masa do të qëndrojë në fuqi deri në përfundimin e hetimeve dhe vlerësimit nga organet kompetente mbi mënyrën se si efektivët kanë ushtruar detyrat e tyre funksionale.
Gjatë periudhës së pezullimit, punonjësit do të përfitojnë 50% të pagës.
Ngjarja ndodhi në ambientet e përbashkëta të burgut të Fierit, ku pati një përplasje mes Denis Bajrit, Aldo Gjinit dhe Jurgen Zotos.
Si pasojë e konfliktit, dy prej të dënuarve mbetën të plagosur dhe morën trajtim mjekësor.
Gjatë kontrolleve në vendngjarje u gjet edhe një thikë artizanale, e cila dyshohet se është përdorur gjatë përplasjes.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit, mënyrën se si ka hyrë apo është prodhuar mjeti prerës dhe nëse ka pasur neglizhencë nga personeli i sigurisë.





