Shqipëria renditet ndër vendet europiane me nivelin më të lartë të privimit ekonomik, pasi më shumë se gjysma e familjeve nuk kanë mundësi financiare të përballojnë një javë pushime në vit larg banesës së tyre.
Sipas të dhënave të Eurostat, të cilat për vendet e Bashkimit Europian i referohen vitit 2025, ndërsa për Shqipërinë vitit 2023, rreth 53% e familjeve shqiptare nuk mund të përballojnë shpenzimet për një javë pushime. Më keq renditet vetëm Rumania, ku kjo përqindje kalon 60%.
Pas Shqipërisë renditen Turqia me rreth 51%, Maqedonia e Veriut me afro 48% dhe Greqia me rreth 47%. Sipas Eurostat, pamundësia për të financuar pushimet është më e përhapur në vendet e Europës Juglindore dhe në ekonomitë me të ardhura më të ulëta.
Edhe krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet në një situatë më të vështirë. Në Serbi, rreth 36% e familjeve nuk mund të përballojnë një javë pushime, ndërsa në Bullgari dhe Hungari kjo përqindje është rreth 39%. Italia regjistron një nivel prej 36%, ndërsa Portugalia, Kroacia dhe Spanja luhaten në intervalin 32–33%.
Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 27%, pothuajse gjysma e nivelit të regjistruar në Shqipëri. Kjo do të thotë se familjet shqiptare preken pothuajse dy herë më shumë nga kjo formë e privimit ekonomik sesa mesatarja e vendeve të BE-së.
Në vendet me të ardhura më të larta, situata është ndjeshëm më e mirë. Në Gjermani dhe Irlandë, rreth një në pesë familje nuk mund të përballojë pushimet, ndërsa në Holandë dhe Suedi kjo përqindje zbret në 12–13%. Nivelet më të ulëta regjistrohen në Zvicër, Norvegji dhe Luksemburg.
Sipas Eurostat, ky tregues pasqyron nivelin e të ardhurave të familjeve dhe mundësinë e tyre për të përballuar shpenzime që nuk konsiderohen jetike, pasi mbulohen kostot bazë të ushqimit, strehimit, energjisë dhe transportit.
Institucioni sqaron se treguesi nuk mat nëse një familje ka shkuar realisht me pushime, por nëse ajo ka mundësi financiare të përballojë një javë larg banesës, qoftë brenda apo jashtë vendit. Nëse një familje zgjedh të mos udhëtojë për arsye personale, ajo nuk konsiderohet automatikisht e privuar ekonomikisht.




