Një hetim i Prokurorisë në Ekuador ka zbuluar një skemë të gjerë të vjedhjes dhe kontrabandës së karburantit, e cila, sipas autoriteteve vendase, lidhet me një strukturë kriminale të asociuar me mafian shqiptare.

Rrjeti dyshohet se kishte ngritur një mekanizëm paralel për të vjedhur hidrokarbure direkt nga polidukti i kompanisë shtetërore Petroecuador, duke përdorur shpime të paligjshme, lidhje të fshehta në tubacione dhe mjete të rënda për transportimin e karburantit.

Sipas hetimeve, deri më 15 korrik 2026 dyshohet se ishin vjedhur rreth 50 mijë fuçi karburant, ndërsa dëmi ekonomik i lidhur me veprimtarinë e paligjshme llogaritet në dhjetëra milionë dollarë.

“Kukulla” dhe “krimba” për të vjedhur karburantin

Hetuesit kanë zbardhur edhe mënyrën se si realizohej vjedhja.

Anëtarët e rrjetit kryenin shpime teknike në tubacionin shtetëror, të cilat në komunikimet e tyre i quanin “operacione”. Më pas instalonin një lidhje të paligjshme të njohur me termin “kukulla”, përmes së cilës devijohej rrjedha e karburantit.

Hidrokarburet pomoheshin më pas përmes zorrëve të quajtura “krimba” drejt cisternave të vendosura në kamionë të rëndë, të cilët përdoren për transportimin dhe fshehjen e ngarkesës.

Sipas Prokurorisë, në disa raste përdoroheshin edhe kamionë të vjedhur.

Ryshfete për policinë

Një pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me dyshimet për bashkëpunim të elementëve të policisë me rrjetin kriminal.

Në mesin e personave nën hetim ndodhet edhe një punonjës policie me rreth 20 vite shërbim, i identifikuar si Mario Quintero, me nofkën “Rreshteri”, i cili dyshohet se siguronte informacion nga strukturat e inteligjencës.

Përgjimet telefonike të administruara në dosje tregojnë, sipas Prokurorisë, se drejtuesit e rrjetit mbanin edhe një sistem pagesash për patrullat që lejonin kalimin e automjeteve.

Tarifat dyshohet se arrinin në 1 000 dollarë për autobot, 1 500 dollarë për kamionët e mëdhenj dhe 500 dollarë për automjetet e vogla.

Në një prej rasteve të dokumentuara, hetuesit pretendojnë se disa agjentë të Policisë Gjyqësore kërkuan 2 000 dollarë për të mos formalizuar sekuestrimin e tre kamionëve të ngarkuar me karburant.

Gjashtë episode në dosjen e Prokurorisë

Hetimi mbështetet në të paktën gjashtë episode të dokumentuara gjatë vitit 2026.

Më 16 janar, në Quinindé, policia ndaloi një autokolonë me tre automjete dhe 11 cisterna me mbi 11 mijë litra benzinë të dyshuar si të vjedhur.

Më 25 mars, gjatë operacionit të koduar “Metanos”, tre persona u arrestuan në zonën e Chigue ndërsa dyshohej se po kryenin një shpim të paligjshëm në polidukt.

Dy ditë më vonë, më 27 mars, policia sekuestroi dy kamionë me rreth 22 730 litra benzinë dhe arrestoi dy persona.

Një incident më i rëndë ndodhi më 2 maj në La Unión, kur një shpim i dështuar shkaktoi çarjen e tubacionit dhe një kolonë karburanti që arriti rreth 30 metra lartësi, duke detyruar ndërhyrjen e ushtrisë.

Dy episode të tjera u regjistruan më 9 dhe 14 maj, kur u zbuluan pika të tjera të paligjshme dhe automjete të braktisura.

Prokuroria: Rrjeti lidhej me mafian shqiptare

Sipas organit të akuzës në Ekuador, rrjeti i kontrabandës së karburantit kishte lidhje me një strukturë kriminale shqiptare që më parë është hetuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash.

Në hetime përmendet edhe Dritan Gjika, i njohur me nofkën “Tony”, i arrestuar në Abu Dhabi në maj 2025 dhe për të cilin vijojnë procedurat e ekstradimit.

Autoritetet ekuadoriane e kanë lidhur më herët strukturën e dyshuar me kompani eksportuese dhe minerare që, sipas hetimeve, janë përdorur për pastrimin e miliona dollarëve.

Megjithatë, përfshirja në vjedhjen e hidrokarbureve tregon, sipas hetuesve, një zgjerim të aktivitetit kriminal përtej trafikut të drogës.

16 persona në paraburgim

Më 17 korrik 2026, gjyqtari i çështjes Renán Andrade vendosi masën e paraburgimit për 16 persona.

Prokuroria ngriti akuza ndaj Martín Quiñónez, me nofkën “Quiño”, dhe José Ponce, të cilët i konsideron drejtues të grupit, ndërsa 14 persona të tjerë akuzohen si bashkëpunëtorë.

Mbrojtja ka kundërshtuar një pjesë të akuzave, duke pretenduar se disa prej personave të përfshirë janë dënuar më herët për episode të veçanta dhe se një procedim i ri mund të përbëjë gjykim të dyfishtë.

Avokatët kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje për mungesën e analizave financiare dhe raporteve teknike të Petroecuador në dosje.

Hetimi vijon, ndërsa Prokuroria synon të përcaktojë shtrirjen e plotë të rrjetit, rolin e personave të përfshirë dhe lidhjet e mundshme mes kontrabandës së karburantit, korrupsionit policor dhe strukturave të krimit të organizuar.