Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka nisur një fushatë kombëtare informuese dhe promovuese në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke përfshirë 10 bashki të vendit.

Nisma, e quajtur “aidaXbashkitë”, do të realizohet në bashkëpunim me bashkitë dhe Albanian Investment Corporation (AIC), me synimin për të afruar bizneset lokale me programet dhe instrumentet që mund t'i ndihmojnë në zhvillimin e aktivitetit të tyre.

Në fokus do të jenë informimi dhe orientimi i bizneseve për mundësitë e financimit, eksportet, standardet e Bashkimit Europian, taksat dhe TVSH-në, por edhe pjesëmarrja në panaire dhe evente ndërkombëtare.

Përmes sesioneve informuese që do të zhvillohen në qytete të ndryshme, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të mund të njihen drejtpërdrejt me programet mbështetëse dhe mundësitë për zgjerimin e aktivitetit.

Një tjetër element i nismës lidhet me promovimin ndërkombëtar. SME-të do të informohen për mundësitë e prezantimit përmes platformës Kompass, me synimin për t'i ndihmuar të krijojnë kontakte të reja dhe të orientohen drejt tregjeve jashtë Shqipërisë.

Fushata do të ndahet në dy raunde.

Faza e parë do të zhvillohet gjatë periudhës shtator–dhjetor 2026 dhe do të përfshijë Durrësin, Elbasanin, Fierin, Vlorën dhe Gjirokastrën.

Faza e dytë është planifikuar për periudhën janar–prill 2027, kur aktivitetet do të zhvendosen në Korçë, Berat, Kukës, Lezhë dhe Shkodër.

Për bizneset e Vlorës, kjo do të thotë se aktivitetet informuese do të zhvillohen që në raundin e parë të fushatës, duke krijuar mundësi që sipërmarrjet lokale të njihen nga afër me programet e financimit dhe instrumentet për eksport e promovim jashtë vendit.

Nisma mbështetet nga AIDA, AIC, projekti EEN Albania dhe bashkitë pjesëmarrëse, ndërsa objektivi është forcimi i lidhjes mes institucioneve dhe komunitetit të biznesit.

Nëpërmjet kësaj fushate synohet që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të kenë më shumë informacion dhe akses në instrumentet që mund t'i ndihmojnë të rriten, të bëhen më konkurruese dhe të kërkojnë mundësi të reja edhe në tregjet ndërkombëtare.