Në Shqipëri vijojnë të mbeten aktive 9 vatra zjarri, të shpërndara në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 14:00 të kësaj të mërkure.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar mbi 450 forca operacionale, mes tyre efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës të shërbimit pyjor, policë dhe vullnetarë.
Ndërhyrja nga ajri po realizohet me 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në zonën e Dajtit, mbi tunelet e Qafë-Mollës, operacioni vijon me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga dy helikopterë. Në Priskë të Madhe po operojnë 15 efektivë dhe katër automjete zjarrfikëse. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për banesat.
Në Drenie të Patosit vijon puna për shuarjen e një vatre të riaktivizuar. Në mbështetje të forcave lokale janë angazhuar edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një autoambulancë.
Situata mbetet aktive edhe në Krujë. Në lagjen Abaze vijon operacioni, ndërsa në lagjen Bojë janë evidentuar dy vatra. Forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave dhe një helikopter po ndërhyn nga ajri.
Në Përmet, operacionet vijojnë në malin e Nëmerçkës dhe në Malin Dhëmbel, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Një nga operacionet më të mëdha po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar mbi 220 forca nga struktura të ndryshme. Nga ajri po operojnë dy avionë “Air Tractor”, ndërsa zjarrfikësit janë pozicionuar edhe pranë banesave që mund të ekspozohen ndaj flakëve.
Në Malin e Moravës, Devoll, vatra është izoluar dhe po mbahet nën monitorim.
Ministria e Mbrojtjes thekson se prioritet mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe zonave të banuara, ndërsa operacionet do të vijojnë deri në izolimin e plotë të vatrave dhe normalizimin e situatës.




