Dy vatra zjarri janë regjistruar pothuajse në të njëjtën kohë në qytetin e Vlorës, duke vënë në lëvizje shërbimin zjarrfikës, i cili u detyrua të ndajë forcat për të ndërhyrë në të dyja rastet.

Zjarri i parë shpërtheu në ambientet e një fast food-i, ku dyshohet se shkak është bërë shpërthimi i një bombole gazi. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke krijuar tym të dendur dhe duke shkaktuar dëme materiale në biznes. Falë ndërhyrjes së shpejtë të efektivëve zjarrfikës, zjarri u izolua dhe u vu nën kontroll, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Ndërkohë, një vatër e dytë zjarri përfshiu një kabinë elektrike pranë shkollës "Ali Demi". Për shkak të rrezikut që paraqiste për banorët dhe pallatet përreth, u morën masa të menjëhershme, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike në zonë dhe duke bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Fatmirësisht, nga të dyja ngjarjet nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur shkaqet e plota të zjarreve.