Euro ka nisur muajin gusht me një tjetër rekord negativ, duke zbritur në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë kundrejt lekut.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot mesatarisht me 93.3 lekë, ndërsa në pikat e këmbimit valutor blihet me 93 lekë dhe shitet me 93.6 lekë.
Zhvlerësimi i monedhës europiane është thelluar në kulmin e sezonit veror, si pasojë e fluksit të lartë të valutës që hyn në vend nga turizmi, emigrantët dhe remitancat.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, euro ka humbur rreth 4.2% të vlerës së saj ndaj lekut.
Për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet në treg përmes blerjes së valutës. Si rezultat, rezervat valutore të vendit kanë arritur në një nivel rekord prej 7.8 miliardë euro, sipas të dhënave në fund të muajit qershor.
Zhvillimet e fundit po ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët dhe bizneset, veçanërisht tek eksportuesit dhe familjet që marrin të ardhura në euro, të cilët përfitojnë më pak lekë nga këmbimi i monedhës europiane.




