Ekonomia shqiptare vijon të mbështetet kryesisht te ndërtimi dhe bujqësia, duke u dalluar nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe mesatarja e Bashkimit Europian. Këtë e tregon një analizë e Monitor, e bazuar në të dhënat e Eurostat për vitin 2024 mbi strukturën e vlerës së shtuar bruto sipas sektorëve ekonomikë.

Sipas analizës, Shqipëria ka peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi jo vetëm në rajon, por në të gjithë Europën. Ky sektor gjeneron 13.8% të vlerës së shtuar bruto, më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian, që është 5.5%.

Rritja e investimeve në banesa, struktura turistike dhe zhvillimet urbane ka qenë një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare vitet e fundit. Megjithatë, analiza paralajmëron se mbështetja e tepërt te ndërtimi nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë, pasi ky sektor krijon më pak produktivitet, inovacion dhe eksporte krahasuar me industrinë apo teknologjinë.

Shqipëria kryeson rajonin edhe për peshën e bujqësisë, e cila gjeneron rreth 17-18% të vlerës së shtuar bruto, ndërsa në Bashkimin Europian ky tregues është më pak se 2%. Sipas analizës, kjo tregon se një pjesë e madhe e ekonomisë vazhdon të mbështetet në sektorë me produktivitet relativisht të ulët.

Nga ana tjetër, industria përfaqëson vetëm rreth 12% të ekonomisë shqiptare, dukshëm më pak se në Serbi, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku pesha e saj luhatet nga 20% deri në 23%.

Raporti evidenton gjithashtu se teknologjia dhe komunikimi mbeten ndër sektorët më pak të zhvilluar në Shqipëri. Aktivitetet e informacionit dhe komunikimit përbëjnë vetëm 2.6% të ekonomisë, niveli më i ulët në rajon së bashku me Kosovën. Në kontrast, në Serbi ky sektor gjeneron rreth 10% të vlerës së shtuar bruto, duke e bërë ekonominë serbe më të orientuar drejt eksporteve të shërbimeve teknologjike.

Edhe sektori financiar mbetet relativisht i vogël. Financat dhe sigurimet zënë rreth 2% të ekonomisë shqiptare, më pak se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe nën mesataren e Bashkimit Europian.

Në kahun pozitiv, Shqipëria ka shënuar rritje në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, të cilat përbëjnë 8.4% të vlerës së shtuar bruto, treguesi i dytë më i lartë në rajon pas Serbisë dhe më pranë mesatares së Bashkimit Europian.

Analiza arrin në përfundimin se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor ndjekin modele të ndryshme zhvillimi. Serbia mbështetet më shumë te industria dhe teknologjia, Mali i Zi te turizmi, Bosnjë-Hercegovina ruan një bazë të fortë industriale, ndërsa Shqipëria vijon të ketë një ekonomi të përqendruar te ndërtimi, bujqësia dhe shërbimet e lidhura me turizmin dhe konsumin.