Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka komentuar rritjen e çmimit të naftës në vend, e cila ka arritur deri në 206 lekë për litër, duke deklaruar se rikthimi i Bordit të Transparencës është një vendim që i takon Këshillit të Ministrave.
Gjatë një deklarate për mediat, Malaj sqaroi se kjo çështje është në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, e cila bën vlerësimin dhe paraqet propozimin përkatës.
"Kjo është nën tagrin e Ministrisë së Ekonomisë. Rikthimi i Bordit të Transparencës apo jo është një vendimmarrje e Këshillit të Ministrave, me propozim që vjen nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit", u shpreh ai.
Ministri theksoi se gjatë ditëve të fundit tregjet ndërkombëtare kanë shënuar luhatje të çmimeve të karburanteve, ndërsa situata është stabilizuar pas qetësimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.
"Ka pasur një luhatje të çmimeve përgjatë 10 ditëve të fundit. Me qetësimin e situatës në Lindjen e Mesme ka një rënie të çmimeve. Ky është një vlerësim që e bën Këshilli i Ministrave pas propozimit nga Ministria e Ekonomisë", tha Malaj.
Sipas tij, nëse rritja e çmimeve do të jetë e qëndrueshme dhe do të zgjasë në kohë, atëherë mund të merret në konsideratë rikthimi i Bordit të Transparencës.
"Nëse do të keni një rritje të çmimeve relativisht të gjatë, padiskutim që do të hyjë në fuqi edhe Bordi i Transparencës", deklaroi ministri.





