Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka thirrur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe të pandehurit e tjerë në dosjen që lidhet me ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, duke u kërkuar të paraqiten pranë organit të akuzës të shoqëruar nga avokatët e tyre.

Procesi ka nisur me paraqitjen e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, i cili ndodhet në masën e sigurisë "arrest në shtëpi". Ai mbërriti në SPAK i shoqëruar nga avokati i tij, Andi Skënderaj, si dhe nga një efektiv policie.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ende nuk është e qartë nëse të pandehurve do t'u komunikohet zyrtarisht zgjatja me tre muaj e afatit të hetimeve për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, apo nëse bëhet fjalë për veprime të tjera procedurale në kuadër të kësaj çështjeje.

Në listën e personave të thirrur nga SPAK është edhe ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, çka ka ngritur dyshime se organi i akuzës mund të jetë duke ndërmarrë procedura të reja ose duke komunikuar akuza të tjera ndaj zyrtarëve nën hetim.

Kjo zhvillohet pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën për heqjen e mandatit të Belinda Ballukut. Më herët, SPAK njoftoi se kishte zgjeruar hetimet ndaj saj edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, ndërsa në kuadër të këtij hetimi u sekuestrua edhe një vilë në Dhërmi, e cila, sipas dyshimeve të hetuesve, mund të përbëjë pasuri të fshehur.