Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka konfirmuar se nuk është tërhequr nga ambicia për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se do të vazhdojë betejën për një proces të hapur brenda PS-së.

I ftuar në emisionin "Now" me gazetaren Erla Mëhilli, Braçe u pyet nëse i qëndron ende projektit për të kandiduar për kryebashkiak të Tiranës.

“A keni dëgjuar të tërhiqem nga ky projekt? Jo. Nuk tërhiqem nga ajo gjë. Nuk kam kërkuar as nder, as favor, as çelës karriere dhe as shpërblim për atë që kam bërë deri tani. Kam kërkuar një proces ku socialistët zgjedhin”, u shpreh ai.

Braçe tha se synon të kërkojë mbështetjen jo vetëm të socialistëve, por edhe të qytetarëve të pavendosur, duke theksuar se objektivi i tij është transformimi i Tiranës përmes një standardi të ri qeverisjeje.

I pyetur se çfarë do të bëjë nëse kryeministri Edi Rama nuk e merr parasysh kërkesën e tij, deputeti socialist u përgjigj se do të vijojë betejën.

“Do të vijoj betejën. Është detyrim statutor. Gara në Tiranë i shërben një procesi demokratik brenda partisë. Të konkurroj me Ogertën, me Arbrin, me kë të doni ju. Nuk ka arsye që PS të bëjë hap prapa”, deklaroi Braçe.