Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste nuk do të largohet nga qeverisja për shkak të protestave, duke theksuar se mandati i saj buron nga vota e qytetarëve dhe shumica parlamentare.

Edi Rama PS

Duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë një takimi me grupin parlamentar socialist, Rama u shpreh se në demokraci pushteti nuk trashëgohet dhe nuk dorëzohet sipas dëshirës së askujt.

“Një parti politike as e trashëgon timonin e pushtetit, as ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit. PS ushtron pushtetin për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend”, tha ai.

Kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të largohet nga detyra vetëm sepse, sipas tij, një pakicë kërkon dorëheqjen e tij.

“‘Rama jepe dorëheqjen’, ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon. Por të largohesh nga detyra pse një pakicë thërret në kor, është vetëm braktisje e një përgjegjësie të madhe”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se misioni i Partisë Socialiste do të përfundojë vetëm me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Misioni ynë do të vazhdojë deri në vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Europës së bashkuar”, deklaroi kryeministri.

Gjatë fjalës së tij, Rama prezantoi edhe dokumentin “Besa”, të cilin e cilësoi si bazën e kthesës qeverisëse të mandatit të katërt.

Sipas tij, historia ka treguar se shumë parti politike kanë humbur pushtetin jo sepse nuk u dëgjuan nga qytetarët, por sepse humbën aftësinë për t'i dëgjuar ata.

“Të gjithë gurët në ato varreza kanë të njëjtin mbishkrim: askush nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi, por humbi dëgjimin nga pushteti”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe shembuj nga vende të ndryshme perëndimore, duke përmendur organizimet elektorale të ish-presidentit amerikan Barack Obama, si dhe lëvizje politike në Brazil, Spanjë, Francë dhe Itali, për të argumentuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjes me qytetarët.

Në përfundim, Rama u bëri thirrje socialistëve të mos bien në vetëkënaqësi dhe të mos humbasin aftësinë për të dëgjuar qytetarët, duke theksuar se kjo është sfida kryesore e mandatit të katërt.