Një shkresë e Prefekturës së Qarkut Vlorë, e datës 30 korrik 2026, ka rikthyer debatet mbi mënyrën se si kontrollohet ligjshmëria e vendimeve të Këshillit Bashkiak Vlorë dhe mbi raportin mes institucioneve vendore.
Në dokumentin e Prefekturës, disa vendime të miratuara nga Këshilli Bashkiak më 21 korrik janë vlerësuar si të ligjshme. Mes tyre janë vendime që lidhen me dhënien e dakordësisë për akses në prona, rishikimin e buxhetit të bashkisë dhe programin e parë të buxhetit afatmesëm 2027–2029.
Megjithatë, vetë Prefektura evidenton një problematikë në një prej vendimeve. Në shkresë thuhet se, gjatë verifikimit të dokumentacionit për një pasuri, të dhënat kadastrale dhe gjendja juridike e pronës nuk janë të azhurnuara në momentin e kërkesës nga Bashkia Vlorë, ndërsa kartela e pasurisë rezulton e paazhurnuar.
Pikërisht ky element ka nxitur reagime të forta në opinionin lokal, ku ngrihet pyetja se si një vendim mund të marrë vulën e ligjshmërisë, ndërkohë që vetë institucioni kontrollues evidenton mangësi në dokumentacionin mbi të cilin ai është mbështetur.
Në një reagim kritik të shpërndarë në rrjetet sociale, Prefektura akuzohet se po humbet rolin e saj si filtër institucional ndaj vendimeve të Bashkisë.
Sipas autorit të reagimit, Prefekti nuk duhet të shërbejë si një “noter” që formalizon çdo vendim të pushtetit vendor, por si institucioni që kontrollon nëse vendimmarrja respekton ligjin.
Kritikat shkojnë edhe ndaj këshilltarëve të mazhorancës në Këshillin Bashkiak, të cilët akuzohen se votojnë në mënyrë automatike pro propozimeve të administratës së kryebashkiakes.
Në qendër të kritikave është kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, ndaj së cilës ngrihen pretendime se po përqendron gjithnjë e më shumë kompetenca dhe se vendimet e administratës së saj po kalojnë pa një kontroll real institucional.
Reagimi përdor një gjuhë të fortë ndaj zinxhirit institucional, duke ngritur dyshimin nëse kemi të bëjmë me një koordinim politik mes Bashkisë, shumicës në Këshillin Bashkiak dhe Prefekturës, apo me mungesë profesionalizmi në kontrollin e akteve.
“Ose janë të gjithë të kapur dhe funksionojnë si një repart ushtarak që zbaton urdhrat pa bërë asnjë pyetje, ose nuk e kuptojnë fare se çfarë votojnë e çfarë firmosin”, thuhet në reagim.
Autori shkon edhe më tej, duke paralajmëruar se përgjegjësia për vendimmarrjet administrative nuk mund të fshihet pas urdhrit politik apo votës së shumicës.
Sipas tij, nëse në të ardhmen konstatohet se vendime të caktuara janë marrë në kundërshtim me ligjin, përgjegjësia nuk do të jetë vetëm politike, por individuale për secilin zyrtar që ka firmosur apo votuar.
“Drejtësia mund të vonojë, por nuk harron. Dosjet mund të grumbullohen në heshtje, përgjegjësitë mund të shtyhen për një kohë, por nuk zhduken”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Në dokumentin e Prefekturës nuk konstatohet paligjshmëri e vendimeve të shqyrtuara, por evidentimi i problematikës me të dhënat kadastrale ka hapur një debat më të gjerë mbi standardin me të cilin kontrollohen aktet e Bashkisë Vlorë.
Pyetja që mbetet është nëse Prefektura po ushtron realisht rolin e saj si kontrolluese e ligjshmërisë, apo në Vlorë kufiri mes kontrollit institucional dhe miratimit formal të vendimeve po bëhet gjithnjë e më i paqartë.






