Një sulm me dron ka goditur një plazh të mbushur me pushues në jug të Rusisë, duke shkaktuar shtatë viktima, mes tyre tre fëmijë, si dhe rreth 40 të plagosur.

Ngjarja ndodhi pranë fshatit Arkhipo-Osipovka, në rajonin e Krasnodarit, një zonë turistike e frekuentuar në brigjet e Detit të Zi.

Pamjet e verifikuara nga BBC tregojnë një dron që afrohet me shpejtësi drejt bregut përpara shpërthimit pranë zonës ku ndodheshin pushuesit.

Guvernatori i Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, deklaroi se 17 prej të plagosurve janë dërguar në spital dhe akuzoi Ukrainën për një sulm të qëllimshëm ndaj civilëve. Autoritetet ukrainase nuk kanë reaguar deri tani ndaj këtyre akuzave.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse plazhi ishte objektivi i dronit. Disa pretendime të pakonfirmuara sugjerojnë se pajisja mund të ketë devijuar nga trajektorja për shkak të ndërhyrjeve elektronike, ndërsa dëshmitarë kanë raportuar se dëgjuan të shtëna përpara shpërthimit.

Sipas turistëve dhe banorëve të zonës, nuk pati alarm apo sirena paralajmëruese përpara incidentit.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe objektivin fillestar të dronit.