Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se Shqipëria ka ratifikuar dhe nënshkruar një marrëveshje kredie prej 302 milionë dollarësh në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), me synim modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.
Në njoftimin zyrtar, Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se financimi do t'i mundësojë Shqipërisë të avancojë kapacitetet e saj ushtarake dhe të forcojë aftësitë mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s.
Sipas DASH, kjo marrëveshje do të ndihmojë gjithashtu vendin të përmbushë angazhimin e miratuar në Samitin e Hagës, që parashikon rritjen graduale të shpenzimeve për mbrojtjen deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.
Marrëveshja konsiderohet një hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke mbështetur investimet për modernizimin e ushtrisë shqiptare.




