Zinedine Zidane është zyrtarisht trajneri i ri i kombëtares së Francës, duke marrë drejtimin e ekipit që dikur e udhëhoqi si futbollist drejt suksesit më të madh në historinë e futbollit francez.

Legjenda e futbollit francez pason Didier Deschamps, i cili i dha fund një epoke 14-vjeçare në stolin e “Les Bleus”, pas eliminimit të Francës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 nga Spanja.

Emërimi i Zidane shënon rikthimin e tij në pankinë pas pesë vitesh mungesë. Ai nuk ka drejtuar asnjë skuadër që nga largimi i tij i dytë nga Real Madridi në vitin 2021, megjithëse emri i tij është përmendur vazhdimisht si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kombëtares franceze.

Si lojtar, Zidane mbetet një nga ikonat më të mëdha të futbollit botëror. Ai udhëhoqi Francën drejt triumfit historik në Kupën e Botës 1998, duke realizuar dy gola në finalen ndaj Brazilit dhe duke u kthyer në simbolin e brezit të artë të futbollit francez.

Edhe si trajner, 53-vjeçari ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme te Real Madridi. Në dy periudhat e tij në krye të klubit spanjoll, ai fitoi tre trofe radhazi të Ligës së Kampionëve (2016, 2017 dhe 2018), si edhe një sërë titujsh të tjerë në Spanjë dhe në arenën ndërkombëtare.

Pavarësisht suksesit në nivel klubesh, drejtimi i kombëtares franceze ka qenë prej kohësh objektivi i madh i Zidane, i cili tashmë do të ketë misionin të rikthejë Francën në majën e futbollit botëror.

Nga ana tjetër, Didier Deschamps largohet pas një prej periudhave më të suksesshme në historinë e “Les Bleus”. Nën drejtimin e tij, Franca fitoi Kupën e Botës në vitin 2018, arriti në finalen e Botërorit 2022 dhe u shndërrua në një nga ekipet më të forta të futbollit ndërkombëtar.

Pas 14 vitesh në krye të kombëtares, Federata Franceze e Futbollit ka vendosur të hapë një kapitull të ri, duke ia besuar projektin një prej emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit francez.