Diferenca financiare mes gjigantëve të futbollit europian dhe klubeve më të vogla vijon të jetë e thellë, siç tregojnë edhe shifrat e fundit të publikuara nga UEFA për fondin e shpërblimeve në garat europiane.

Sipas të dhënave zyrtare, 75 klube nga 35 vende të ndryshme, të eliminuara në raundin e parë dhe të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, kanë përfituar së bashku 40.635 milionë euro.

Në kontrast të plotë, kampioni i Europës, Paris Saint-Germain, ka të garantuara 63.970 milionë euro nga UEFA, pa zhvilluar ende asnjë ndeshje në kompeticionet europiane për sezonin e ri.

Edhe klubet shqiptare janë pjesë e kësaj skeme shpërblimesh. Vllaznia dhe Elbasani, të cilat u eliminuan në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, kanë përfituar nga 325 mijë euro secila.

UEFA i ndan shpërblimet për klubet e eliminuara në fazat kualifikuese të Ligës së Konferencës në katër kategori:

  • 960 mijë euro – për klubet që kanë kaluar dy raunde kualifikuese dhe kanë përfituar edhe bonusin si kampione të vendit;

  • 700 mijë euro – për skuadrat që kanë marrë pjesë në dy raunde kualifikuese;

  • 525 mijë euro – për ekipet që e kanë nisur garën nga raundi i dytë kualifikues;

  • 325 mijë euro – për klubet e eliminuara që në raundin e parë.

Shifrat nxjerrin edhe një herë në pah hendekun e madh ekonomik mes elitës së futbollit europian dhe klubeve që luftojnë për të siguruar një vend në fazat kryesore të kompeticioneve të UEFA-s. Ndërsa skuadra si Paris Saint-Germain përfitojnë dhjetëra milionë euro që në nisje të sezonit, shumë klube nga kampionatet më të vogla duhet të kënaqen me shpërblime modeste, pavarësisht investimeve dhe përpjekjeve për të konkurruar në arenën europiane.