E ardhmja e Marash Kumbullës te Roma mbetet e paqartë, teksa mbrojtësi shqiptar nuk bën pjesë në planet e trajnerit Xhan Piero Gasperini për sezonin e ri. Klubi verdhekuq po punon për riorganizimin e repartit defensiv dhe po shqyrton mundësinë e largimit të 25-vjeçarit gjatë merkatos së verës.
Sipas mediave italiane, Kumbulla është një nga lojtarët që mund të largohet nga kryeqyteti italian, ndërsa interesi për të nuk mungon. Në La Liga, Rajo Vajekano po monitoron nga afër situatën e mbrojtësit shqiptar dhe mund të paraqesë një ofertë për transferimin e tij.
Nëse kalimi realizohet, kjo do të ishte eksperienca e tretë e Kumbullës në futbollin spanjoll, pas aventurave në formë huazimi me Espanjolin dhe Majorkën.
Nga ana tjetër, Roma vijon kërkimet për përforcime në mbrojtje, ndërsa drejtuesit po analizojnë alternativa për sezonin e ardhshëm. Për Kumbullën, prioritet mbetet gjetja e një skuadre ku mund të ketë më shumë minuta dhe vazhdimësi, edhe pse dëshira e tij ka qenë gjithmonë të vazhdojë karrierën me Romën në Serie A.





