Vinicius Junior është gjithnjë e më pranë rinovimit të kontratës me Real Madridin, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga asetet më të vlefshme të klubit, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë financiar.
Braziliani u transferua te "Los Blancos" në verën e vitit 2017 nga Flamengo për 45 milionë euro, një investim që sot konsiderohet ndër goditjet më të suksesshme të merkatos së viteve të fundit.
Përveç paraqitjeve në fushë, Vinicius është kthyer në një nga figurat më të fuqishme të marketingut në futbollin botëror. Si ylli kryesor i kombëtares së Brazilit dhe një prej emrave më të spikatur të Real Madridit, ai gjeneron të ardhura të konsiderueshme nga të drejtat e imazhit.
Pas rinovimit të kontratës në vitin 2022, Real Madridi zotëron rreth 50% të të drejtave të imazhit të sulmuesit, çka e bën atë një burim të rëndësishëm të ardhurash për klubin. Në fakt, ndikimi i tij në aspektin komercial është aq i madh, sa shpesh thuhet se të ardhurat nga imazhi i tij mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të pagës që përfiton.
Aktualisht, 25-vjeçari numëron 17 sponsorë ndërkombëtarë. Gjatë Kupës së Botës së fundit ai ishte ndër futbollistët me më shumë partneritete komerciale, i tejkaluar vetëm nga Neymar. Mes kompanive që bashkëpunojnë me të janë gjigantë si Pepsi, Gatorade dhe Apple, ndërsa postimet promovuese të tij në rrjetet sociale kanë kaluar shifrën e 100 milionë shikimeve.
CEO i "Roc Nation Sports Brazil", Frederico Pena, agjencia që menaxhon karrierën e Viniciusit, thekson se profili i futbollistit shkon përtej suksesit në fushë.
"Pavarësisht moshës së re, Vinicius është tashmë një figurë e konsoliduar te klubi më i madh në botë dhe në kombëtaren braziliane. Ai ka qenë protagonist në fitimin e dy trofeve të Ligës së Kampionëve dhe është kthyer në një model suksesi e qëndrueshmërie për shumë brazilianë. Gjithashtu, ai angazhohet edhe në çështje sociale, gjë që e bën edhe më tërheqës për markat globale", u shpreh Pena.
Ai zbuloi gjithashtu se Vinicius Jr. tashmë menaxhohet si një kompani e mirëfilltë, për shkak të nivelit të lartë të interesit komercial dhe mënyrës profesionale me të cilën administrohen marrëveshjet dhe imazhi i tij.





