Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e kësaj të marte fshatin Penkovë në Bashkinë e Selenicës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Flakët, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, përfshinë një subjekt privat ku ndodheshin automjete të vjetra për pjesë këmbimi.

Sipas pronarit të biznesit, Tomian Hysaj, nga zjarri janë shkrumbuar rreth 120 automjete, ndërsa dëmi ekonomik llogaritet në rreth 35 milionë lekë të vjetra.

"Me këtë punë merresha, me këtë ushqeja fëmijët. Tani u shkatërrova komplet. Për gjysmë ore përfundoi gjithçka. Kërkoj një ndihmë nga bashkia dhe shteti që të më njohin dëmin," u shpreh ai.

Situata u bë kritike në momentet e para, pasi Bashkia e Selenicës disponon vetëm një automjet zjarrfikës. Për shkak të përmasave të zjarrit, në operacion u angazhuan edhe forcat zjarrfikëse nga Bashkia Vlorë dhe Bashkia Himarë, të cilat arritën të lokalizonin flakët pas disa orësh pune intensive.

Shefi i Emergjencave Civile pranë Bashkisë së Selenicës, Arqile Kokalli, bëri me dije se ndërhyrja e koordinuar shmangu përhapjen e zjarrit drejt banesave pranë zonës.

"Situata është nën kontroll. Na erdhën në ndihmë zjarrfikëset e Vlorës dhe Himarës. Dy banesa që rrezikoheshin u shpëtuan, ndërsa aktualisht po monitorohen vatrat e mbetura," deklaroi ai.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet që çuan në rënien e zjarrit.