Një tjetër skandal me ndërtimet pa leje ka përfshirë Bashkinë Himarë. Pas evidentimit të një objekti shumëkatësh të ndërtuar pa leje në Qeparo, kryebashkiaku Vangjel Tavo ka vendosur të shkrijë sërish strukturën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.
Sipas informacioneve, 6 punonjës të IMT Himarë, mes tyre drejtues dhe inspektorë, janë shkarkuar nga detyra, ndërsa materialet janë dërguar në Prokurori dhe ka nisur hetimi për përgjegjësitë e mundshme në lejimin e ndërtimit.
Objekti në fjalë raportohet se është ngritur pa leje dhe ka arritur disa kate, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një ndërtim i këtyre përmasave ka mundur të vijojë pa u ndaluar në kohë nga strukturat përgjegjëse të kontrollit të territorit.
Ndërkohë, sipas njoftimit të Policisë, tre prej punonjësve të IMT-së janë shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar rolin e secilit prej tyre.
Rasti rikthen edhe një herë në vëmendje problemin e ndërtimeve pa leje në zonën e Himarës dhe përgjegjësinë e institucioneve vendore që kanë për detyrë kontrollin e territorit.




