Pak ditë pasi Bashkia e Vlorës deklaroi se kishte liruar hapësirën publike në një nga plazhet ne zonen e Kalas dhe kishte sekuestruar çadrat e shezlongët e vendosur pa leje, pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një realitet që duket ndryshe.

Në fotot e shpërndara shihet se hapësira që u prezantua si "e rikthyer për qytetarët" vijon të jetë e zënë nga shezlongë dhe çadra, ndërsa pushuesit i përdorin ato normalisht.

Kjo ka sjellë reagime ironike në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe gazetarë pyesin nëse aksioni ishte një zgjidhje reale apo vetëm një ndërhyrje për efekt publik.

"Ore po sikur u tha se hapësira është publike? Atëherë kush i vendosi sërish shezlongët?", shkruan një gazetare në një reagim të publikuar në Facebook.

Fotot kanë rikthyer debatin mbi mënyrën se si po menaxhohen plazhet publike në Vlorë, ndërsa qytetarët kërkojnë sqarime nëse këto hapësira janë realisht të lira për publikun apo vazhdojnë të shfrytëzohen nga subjekte private.

Nëse aksioni ishte për të rikthyer plazhin në përdorim të lirë për qytetarët, atëherë pamjet e sotme ngrenë një pyetje të thjeshtë: çfarë ndryshoi në të vërtetë?