Greqia vijon të përballet me një situatë kritike për shkak të zjarreve të mëdha që kanë përfshirë disa rajone të vendit, duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe duke detyruar mijëra banorë të largohen nga banesat e tyre.
Megjithëse flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha dhe kanë kërcënuar zona të banuara, deri më tani autoritetet nuk kanë raportuar viktima mes popullsisë civile. Megjithatë, bilanci i humbjeve në radhët e forcave të angazhuara në shuarjen e zjarreve është i rëndë.
Sipas autoriteteve, tre zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë ditëve të fundit, teksa luftonin me flakët në rajone të ndryshme të vendit.
Tragjedia u rëndua edhe më tej pak orë më parë, kur dy pilotë të helikopterëve zjarrfikës humbën jetën pasi mjetet ajrore u përplasën gjatë një operacioni për shuarjen e flakëve.
Autoritetet greke vijojnë betejën për të vënë nën kontroll vatrat aktive të zjarrit, ndërsa temperaturat e larta, erërat e forta dhe kushtet e pafavorshme atmosferike vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve në disa zona.
Ekipet e emergjencës, të mbështetura nga forca zjarrfikëse tokësore dhe mjete ajrore, po punojnë pa ndërprerje për të mbrojtur zonat e banuara dhe për të shmangur humbje të tjera njerëzore.
Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë urdhrat për evakuim dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të emergjencës deri në normalizimin e plotë të situatës.





