Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer pasditen e së dielës në Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një situatë të rënduar dhe një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të mirë të qytetit.

Vatra e zjarrit është regjistruar në pyllin me pisha pranë vijës hekurudhore, në zonën e Zvërnecit, ndërsa tymi është i dukshëm nga disa lagje të Vlorës. Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, duke rritur rrezikun për sipërfaqe të mëdha pyjore.

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e zjarrit, banorë dhe pushues janë bashkuar me efektivët e shërbimit zjarrfikës, të cilët kanë angazhuar të gjithë personelin në dispozicion për izolimin e vatrës.

Situata mbetet kritike, pasi ekziston rreziku që flakët të përfshijnë sipërfaqe të tjera me pyje dhe bimësi, si edhe t'u afrohen bizneseve dhe objekteve të ndodhura pranë zonës së prekur.

Në terren po operojnë shërbimet zjarrfikëse, të mbështetura nga Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera të emergjencës, të cilat vijojnë punën për të vënë nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonave të rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e forcave që ndodhen në terren.

Sipas raportimeve nga terreni, menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt zonës janë nisur forca të shumta të Policisë dhe zjarrfikëses. Burime nga shërbimi zjarrfikës bëjnë me dije se aktualisht në qarkun e Vlorës janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, duke vështirësuar ndarjen e forcave dhe koordinimin e ndërhyrjeve.

Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport, ku ekipet po punojnë pa ndërprerje për të shmangur përshkallëzimin e situatës.