Një zbulim me vlera historike është bërë në fshatin Rromës, në Bashkinë e Selenicës, ku gjatë punimeve për ndërtimin e një depoje uji janë zbuluar rrënojat e një çezme të vjetër.

Pas njoftimit nga banorët e zonës, specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë dokumentuar strukturën e zbuluar.

burim-6a673e66806b5.png

Sipas ekspertëve, çezma ruan elementë të rëndësishëm ndërtimorë, si tubacione qeramike për furnizimin me ujë, kanale shkarkimi dhe mure të ndërtuara me gurë, tjegulla dhe llaç gëlqereje, çka dëshmon për teknikën e ndërtimit të kohës.

Nga vlerësimet paraprake të specialistëve, bazuar në tiparet arkitekturore dhe materialin qeramik të gjetur në vend, monumenti mendohet t'i përkasë shekujve XV-XVI, periudhës së hershme osmane.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, zbulimi përbën një dëshmi të rëndësishme për historinë dhe zhvillimin e fshatit Rromës, ndërsa nënvizohet se reagimi i banorëve dhe bashkëpunimi i tyre me institucionet përgjegjëse bëri të mundur dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj strukture me vlera historike.