Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, ka dalë publikisht kundër propozimit për bashkimin e Bashkisë së Selenicës me Bashkinë e Vlorës në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.

Përmes një reagimi, Sinaj u shpreh se në këtë proces duhet të dëgjohet jo vetëm mendimi i ekspertëve, por mbi të gjitha zëri dhe interesi i qytetarëve, duke theksuar se problemi kryesor nuk është numri i bashkive, por financimi i pamjaftueshëm i pushtetit vendor.

Deputeti argumenton se Selenica renditet e 29-ta në nivel kombëtar si për funksionalitetin e bashkisë, ashtu edhe për performancën ekonomike, ndërsa paga mesatare dhe niveli i ulët i detyrimeve të prapambetura tregojnë, sipas tij, se bashkia është funksionale dhe e qëndrueshme.

Sinaj pranon se treguesi i masës urbane është më i ulët për shkak të shpërndarjes së popullsisë në shumë fshatra, por shton se pikërisht ky fakt e bën të domosdoshme ruajtjen e Selenicës si bashki më vete, në mënyrë që shërbimet të mos largohen edhe më shumë nga qytetarët.

Ai vë në dukje edhe rëndësinë ekonomike të zonës, duke kujtuar se Selenica ka brenda territorit të saj Minierën e Selenicës dhe fushën naftëmbajtëse të Gorrishtit, të cilat, sipas tij, japin një kontribut të rëndësishëm në buxhetin e shtetit.

Selenica vullnet sinaj kunder ndarjes edi rama.jfif

Sipas Sinajt, problemi qëndron te mënyra si shpërndahet renta minerare, pasi bashkitë përfitojnë vetëm një pjesë shumë të vogël të saj. Ai kujton se prej katër vitesh ka kërkuar ndryshimin e ligjit për të rritur përfitimin e bashkive nga renta minerare, por pa sukses.

Në përfundim, deputeti shprehet se Selenica i plotëson të gjitha kriteret për të vazhduar të funksionojë si bashki më vete dhe i bën thirrje Kuvendit të marrë parasysh argumentet dhe vullnetin e qytetarëve gjatë shqyrtimit të reformës territoriale.