Gjykata italiane ka lënë në masën e sigurisë "arrest me burg" 26-vjeçarin tunizian Ridha Rahmouni, i akuzuar për vrasjen e gazetarit sportiv Luigi "Luca" Esposito.

Vendimi u mor gjatë seancës së zhvilluar në burgun e Salernos, ku u shqyrtua ligjshmëria e ndalimit të të riut.

Sipas hetuesve, Rahmouni dyshohet se vrau 53-vjeçarin gjatë natës mes 18 dhe 19 korrikut në një zonë bujqësore në Cioffi, pranë Ebolit, dhe më pas i dogji trupin për të fshehur gjurmët e krimit.

Autoritetet italiane bëjnë me dije se 26-vjeçari ndodhej në mënyrë të parregullt në Itali dhe ishte subjekt i një urdhri dëbimi. Ai u lokalizua dhe u arrestua nga karabinierët në një banesë të braktisur pas një hetimi intensiv, gjatë të cilit u përdorën gjurmët e gishtërinjve, analizat e antenave telefonike dhe prova të tjera të mbledhura në vendngjarje.

Ndërkohë, motivi i vrasjes nuk është bërë ende publik. Hetuesit janë shprehur se ngjarja lidhet me "arsye private dhe personale", pa dhënë detaje të tjera.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati mbrojtës i Rahmounit, Mauri, deklaroi se çështja përmban disa elemente që, sipas tij, kërkojnë hetime të mëtejshme për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.