Ndërsa prej ditësh shumë familje në Vlorë përballen me mungesën e ujit të pijshëm dhe presin me orë të tëra që të vijë në rubinet, në një tjetër cep të qytetit uji duket se ka vendosur të bëjë... shëtitje.

Pranë gjimnazit "Halim Xhelo", uji i pijshëm derdhet lirshëm në rrugë, duke krijuar një "burim" të improvizuar që vazhdon të rrjedhë, ndërsa askush nuk duket se nxiton ta ndalojë.

Pamjet ngrejnë pikëpyetje mbi keqmenaxhimin e rrjetit të ujësjellësit, në një kohë kur qytetarëve u kërkohet të kursejnë çdo pikë ujë dhe, sigurisht, të paguajnë faturat në kohë.

Ironia është se, ndërsa një pjesë e Vlorës pret me bidonë ujin që nuk vjen, një pjesë tjetër e sheh atë të largohet pa asnjë destinacion. Me sa duket, uji ka më shumë liri lëvizjeje se vetë qytetarët.

Mbetet për t'u parë nëse ndërhyrja do të bëhet përpara se ky "burim" të shpallet atraksioni më i ri turistik i qytetit. Sepse, në fund të fundit, ujin e paguajnë qytetarët... edhe kur përfundon në rrugë.