Një ngjarje e rëndë ka tronditur një familje shqiptare, pasi një 19-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra në një aksident rrugor në Itali.
Viktima është Dion E., i cili po udhëtonte së bashku me familjen nga Franca drejt Kosovës, ku kishin planifikuar të kalonin pushimet verore dhe të festonin ditëlindjen e tij.
Sipas informacioneve, aksidenti ndodhi në afërsi të Milanos, ku automjeti që drejtohej nga 19-vjeçari u përplas me një mjet tjetër.
Pas përplasjes, i riu u transportua me urgjencë në një spital të zonës, ku qëndroi për disa ditë nën kujdes intensiv. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t'u mbijetojë plagëve të marra.
Dion E. ndërroi jetë më 24 korrik, pikërisht në ditën kur mbushi 19 vjeç, në praninë e prindërve të tij.
Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe të afërmit, të cilët e kujtojnë Dionin si një djalë të qetë, punëtor dhe të respektuar.
I riu jetonte dhe punonte në Francë së bashku me familjen, ndërsa udhëtimi drejt Kosovës për pushimet verore u kthye në një tragjedi të rëndë për të afërmit e tij.





