Teuta vijon të forcojë skuadrën në prag të sezonit të ri, duke konfirmuar ambiciet për të luftuar për titullin kampion nën drejtimin e trajnerit Edlir Tetova.

Përforcimi më i fundit është mbrojtësi Ilir Kukleci, ndërsa mediat norvegjeze kanë zbuluar detaje të reja rreth transferimit të tij në klubin durrsak.

Fillimisht, gazeta Hamar Arbeiderblad raportoi ekskluzivisht se futbollisti do t'i bashkohej Teutës, ndërsa së fundmi televizioni norvegjez TV 2 ka bërë publik edhe vlerën e operacionit.

Sipas raportimit, Teuta ka paguar 1.5 milionë korona norvegjeze, ose rreth 136 mijë euro, për të siguruar kartonin e 27-vjeçarit.

Prezantimi i Kuklecit është shtyrë për shkak të një dëmtimi të lehtë, por lojtari ka përfunduar vizitat mjekësore dhe zyrtarizimi pritet të bëhet në ditët në vijim.

Kukleci aktivizohej te HamKam, ku nuk ishte zgjedhje e parë në formacion. Mbrojtësi, i gjatë 1.94 metra, do të provojë për herë të parë një eksperiencë jashtë Norvegjisë.

Transferimi rezulton fitimprurës edhe për HamKam, që arrin të arkëtojë një shumë të konsiderueshme vetëm pak muaj pasi e kishte afruar futbollistin me parametër zero.

Ilir Kukleci ka origjinë shqiptare nga ana e babait, ndërsa nëna e tij është kroate.