Policia kanadeze ka nisur hetimet pas të shtënave me armë zjarri pranë Konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Toronto, një incident që vjen vetëm katër muaj e gjysmë pas një sulmi të ngjashëm ndaj të njëjtit objekt diplomatik.

Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi rreth orës 04:46 të mëngjesit me orën lokale, kur efektivët dëgjuan të shtëna në zonën pranë konsullatës. Menjëherë pas të shtënave, një automjet i bardhë pa targa u pa duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Policia ndërmori ndjekjen e automjetit të dyshuar, por drejtuesi arriti të arratisej. Gjatë kontrollit në vendngjarje u gjetën disa gëzhoja, ndërsa zona u izolua për të lejuar kryerjen e hetimeve.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur motivin e sulmit dhe vijojnë punën për identifikimin e autorëve. Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.

Ky është sulmi i dytë ndaj Konsullatës amerikane në Toronto brenda një periudhe të shkurtër. Më 10 mars, objekti diplomatik u vu gjithashtu në shënjestër të personave të armatosur. Për atë ngjarje, në muajin qershor u arrestuan dy të rinj, të moshës 18 dhe 19 vjeç.

Pas incidenteve të përsëritura, autoritetet kanadeze kanë shtuar masat e sigurisë pranë misioneve diplomatike amerikane dhe izraelite, në një periudhë kur tensionet ndërkombëtare janë rritur si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.