Spanja po përgatitet të përballet me një valë të re të të nxehtit, e cila pritet të nisë të mërkurën dhe të zgjasë të paktën deri të dielën, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në pyje.
Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës (Aemet) ka paralajmëruar se kombinimi i temperaturave shumë të larta dhe erërave të forta do të krijojë kushte ideale për përhapjen e flakëve.
"Niveli i rrezikut do të vazhdojë të rritet, duke arritur nivele ekstreme", njoftoi Aemet, duke u bërë thirrje autoriteteve dhe qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, deklaroi se 48 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për vënien nën kontroll të zjarreve që kanë përfshirë zonat pranë Madridit.
Një nga vatrat më problematike mbetet fronti "Western Sierra" në rajonin e Madridit, i cili ndodhet pranë zjarrit të madh në Ávila, në rajonin fqinj të Castile-Leon.
Sipas autoriteteve spanjolle, vetëm këto dy zjarre kanë shkrumbuar rreth 75 mijë hektarë tokë brenda pak ditësh, një sipërfaqe rreth shtatë herë më e madhe se ajo e Parisit. Ky konsiderohet një nga episodet më të rënda të zjarreve që ka përjetuar Spanja në vitet e fundit.
Autoritetet vijojnë të mbajnë në gatishmëri ekipet e emergjencës, ndërsa frika është se vala e re e të nxehtit mund të përkeqësojë edhe më tej situatën në zonat e prekura.





