SPAK ka dërguar për gjykim 11 persona, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike drejt Finlandës. Vendimi vjen pas përfundimit të hetimeve të procedimit penal nr. 147/1 të vitit 2023, ndërsa në listën e të pandehurve përfshihen persona të akuzuar për trafikim narkotikësh, prodhim dhe shitje droge, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe vepra të tjera penale.
Sipas SPAK, hetimet janë zhvilluar në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore mes autoriteteve shqiptare dhe Policisë Kriminale të Finlandës. Gjatë këtij procesi janë përdorur përgjime telefonike, vëzhgime të fshehta dhe është shkëmbyer informacion në kohë reale me autoritetet finlandeze.
Nga provat e administruara rezulton se grupet kriminale, të drejtuara nga shtetas shqiptarë, kanë organizuar trafikimin e sasive të mëdha të kanabisit, kokainës, amfetaminës dhe tabletave ekstazi drejt Finlandës, ku më pas lëndët narkotike shpërndaheshin në qytete të ndryshme përmes një rrjeti të organizuar.
Dosja hetimore dokumenton dhjetëra episode të trafikimit dhe shitjes së drogës gjatë viteve 2022–2024, në qytete si Helsinki, Espoo, Vantaa, Turku dhe Malmi. Sipas SPAK, vetëm në një rast janë trafikuar me shërbim postar mbi 200 kilogramë kanabis nga Spanja drejt Finlandës, ndërsa në episode të tjera janë sekuestruar ose dokumentuar dhjetëra kilogramë amfetaminë e kokainë, si edhe mijëra tableta ekstazi.
Prokuroria bën të ditur se hetimet nuk kanë përfunduar. Në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe autoritetet finlandeze po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij rrjeti të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.





