Detaje të reja janë zbardhur mbi pengmarrjen e ndodhur në Londër ndaj Nertil Buzit, ngjarje që u regjistrua në fund të shtatorit 2022 dhe që riktheu vëmendjen pas ngjarjes tragjike të së premtes, kur Buzi vrau dy prindërit e ish-të fejuarës së tij, e mori atë peng dhe më pas i dha fund jetës.
Sipas informacionit të siguruar nga Top Channel, gjithçka nisi kur një grup kriminal me aktivitet në Manchester e bindi Buzin të shkonte në një hotel në lindje të Londrës, me pretendimin se do të zhvillohej një takim për të zgjidhur mosmarrëveshje që lidhen me disa shtëpi kanabisi.
Kurthi në hotel dhe kërkesa për 400 mijë paund
Sapo hyri në dhomën e hotelit, Buzi u neutralizua nga pengmarrësit. Ai u lidh me zinxhir pas radiatorit, iu mbyll goja me shirit ngjitës dhe, sipas dëshmisë së tij, u torturua për disa ditë.
Grupi kriminal i kërkoi 400 mijë paund, duke pretenduar se kjo shumë lidhej me mosmarrëveshje të mëparshme. Kur kuptuan se Buzi nuk dispononte këto para në Britani, pengmarrësit iu drejtuan familjarëve të tij në Shqipëri.
Përmes telefonit të Buzit, ata zhvilluan video-telefonata me të vëllanë, duke e shfaqur të lidhur dhe të dhunuar. Në një tjetër telefonatë, sipas dëshmive, torturat vijuan edhe me shkuljen e thonjve me pincë, ndërsa kërkesa mbeti e njëjtë: pagesa e 400 mijë paundëve.
Alarmi nga Shqipëria dhe operacioni me autoritetet britanike
Pas marrjes së telefonatave, vëllai i Nertil Buzit iu drejtua Policisë së Fierit, e cila informoi menjëherë strukturat qendrore të Policisë së Shtetit.
Operacioni u koordinua mes autoriteteve shqiptare dhe britanike, ku u përfshinë Policia Metropolitane e Londrës (Met Police) dhe Agjencia Kombëtare Kundër Krimit (NCA).
Hetuesit britanikë lokalizuan zonën ku ndodhej telefoni i Buzit, vendosën ekipet e vëzhgimit dhe dërguan dy efektive femra të infiltruar si kliente në hotel për të identifikuar dhomën ku mbahej peng.
Paralelisht, analizimi i kamerave të sigurisë dhe përgjimet telefonike çuan në identifikimin e disa prej anëtarëve të grupit kriminal.
Ndërhyrja e forcave speciale
Pasi u konfirmua vendndodhja e pengut, autoritetet britanike hartuan planin e ndërhyrjes.
Gjatë operacionit të zhvilluar natën, forcat speciale përdorën fillimisht gaz për të neutralizuar pengmarrësit dhe më pas hynë në dhomë, duke arrestuar tre persona në vendngjarje.
Nertil Buzi u gjet në gjendje të rënduar fizike si pasojë e torturave dhe u transportua menjëherë në spital nën mbrojtjen e policisë.
Gjashtë të arrestuar, por akuzat u rrëzuan
Pas operacionit, autoritetet britanike arrestuan gjashtë shtetas shqiptarë, të akuzuar fillimisht për rrëmbim personi, burgosje të rreme dhe kërcënim për vrasje.
Buzi bashkëpunoi me hetuesit dhe u vendos në një banesë të sigurt si dëshmitari kryesor i prokurorisë.
Megjithatë, dy vite më vonë, gjatë procesit në Harrow Crown Court, prokuroria hoqi dorë nga akuzat kryesore ndaj pesë prej të pandehurve, të cilët u liruan nga gjykata. Vetëm Nelid Arapi u dënua me 16 muaj burg, për posedim të kanabisit me qëllim shpërndarjeje.
Dy hipoteza për dështimin e procesit
Sipas burimeve të Top Channel, ekzistojnë dy hipoteza kryesore që mund të kenë çuar në rrëzimin e çështjes.
E para është se Nertil Buzi mund të jetë tërhequr nga dëshmia kundër pengmarrësve.
Hipoteza e dytë lidhet me strategjinë e mbrojtjes, e cila, sipas të njëjtave burime, synonte ta diskreditonte Buzin duke paraqitur prova për përfshirjen e tij në aktivitete kriminale. Përballë këtij rreziku, prokuroria britanike vendosi të tërhiqte akuzat kryesore.
Operacioni mbetet një nga bashkëpunimet më komplekse mes autoriteteve shqiptare dhe britanike në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa për hetuesit, arritja më e madhe ishte lirimi i pengut me jetë.





