Një objekt i ndërtuar në vitin 1996, në rrugën "Demokracia" në Vlorë, është shembur këtë të martë nga autoritetet vendore, mes kundërshtimeve të forta të pronarëve.
Sipas Bashkisë Vlorë, ndërhyrja është kryer pasi një pjesë e objektit rezulton e ndërtuar mbi një kanal, çka, sipas institucionit, e bën të domosdoshme prishjen.
Nga ana tjetër, pronarët e kundërshtojnë këtë vendim, duke pretenduar se objekti është ndërtuar me leje dhe se shembja është e padrejtë. Ata bëjnë me dije se kanë marrë njoftimin nga Bashkia vetëm një ditë më parë, më 3 gusht, ku u është kërkuar të nxjerrin materialet dhe sendet nga godina, pasi ditën pasuese do të kryhej shembja.

Avokati i familjes ka deklaruar se çështja do të ndiqet në rrugë ligjore, duke kundërshtuar procedurat e ndjekura dhe ligjshmërinë e vendimit për prishjen e objektit.
Ndërkohë, autoritetet vendore nuk kanë dhënë ende një reagim të detajuar mbi pretendimet e pronarëve lidhur me dokumentacionin e lejes së ndërtimit.





