Një operacion i përbashkët ndërkombëtar ka çuar në sekuestrimin e mbi 2.6 tonëve kokainë në Oqeanin Atlantik, pranë brigjeve të Portugalisë. Sipas autoriteteve italiane, lënda narkotike mund të arrinte një vlerë prej rreth 500 milionë eurosh në tregun me pakicë.

Droga u zbulua në bordin e një gomoneje të shpejtë, e cila dyshohet se përdorej për të marrë ngarkesa të hedhura në det nga anije të mëdha që vinin nga Amerika e Jugut. Kjo është një nga metodat më të përdorura nga rrjetet e trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Gjatë operacionit u arrestuan katër persona: dy shtetas spanjollë, një banor i Gjibraltarit dhe një shtetas shqiptar me vendbanim në Itali.

Hetimet u koordinuan nga Prokuroria e Breshias në Itali, ndërsa në operacion morën pjesë autoritetet italiane, portugeze dhe spanjolle.

Sipas Policisë Financiare italiane, vlera e kokainës në tregun me shumicë llogaritet në rreth 78 milionë euro, ndërsa pas përzierjes me substanca të tjera dhe shitjes në tregun me pakicë, fitimet mund të arrinin deri në 500 milionë euro.

Autoritetet evropiane kanë evidentuar prej vitesh përfshirjen e grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Sipas agjencive ligjzbatuese, këto grupe luajnë rol në transportimin, magazinimin dhe shpërndarjen e drogës, shpesh në bashkëpunim me organizata kriminale nga vende të tjera.

Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa autoritetet synojnë të identifikojnë personat e tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.