Kryeministri Edi Rama ka treguar për herë të parë se si u njoh me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si dhe momentin kur dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump shprehu interes për të investuar në Shqipëri.
Në një intervistë për televizionin britanik Channel 4, Rama tha se takimi i parë ndodhi në vitin 2020, në një jaht që kishte ndaluar në Shqipëri për t’u furnizuar me karburant përpara se të vazhdonte drejt Malit të Zi.
“U ftova të bashkohesha me disa persona në një jaht. Atje takova Jaredin dhe Ivankën. Disa muaj më vonë, në Davos, Jaredi shprehu interesin për të eksploruar mundësitë e investimit në Shqipëri. Natyrisht që i thashë ‘po’. Si mund t’i thosha ‘jo’?”, deklaroi Rama.
Kryeministri hodhi poshtë pretendimet se projektet në Sazan dhe Zvërnec kanë nisur tashmë. Sipas tij, për Sazanin nuk ekziston ende as projekt dhe as marrëveshje, ndërsa në Zvërnec po zhvillohen vetëm punë dhe studime paraprake.
Rama sqaroi se imazhet e publikuara më herët nga Kushner në rrjetet sociale ishin vetëm një prezantim fillestar dhe jo projekti përfundimtar. Ai tha se projekti ka ndryshuar dhe në hartimin e tij janë përfshirë arkitektë dhe ekspertë të njohur për zonat ligatinore.
“Në të njëjtën kohë po kryejmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Projekti nuk synon ta shkatërrojë atë vend të bukur, por ta rigjenerojë”, u shpreh kreu i qeverisë.
I pyetur për shqetësimet e ngritura nga Komisioni Europian, Rama garantoi se çdo projekt do të jetë në përputhje me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian.
“Vetë ideja që ne mund të ecim përpara me një projekt që bie ndesh me standardet europiane është absurde”, tha ai.
Intervista u ndal edhe te protestat kundër zhvillimeve të parashikuara në Sazan dhe Zvërnec. Rama deklaroi se i kupton protestuesit dhe se reagimi qytetar e ka shtyrë qeverinë të reflektojë.
Sipas tij, protestat tregojnë se shoqëria shqiptare ka pritshmëri më të larta dhe se vendi ka arritur në një fazë tjetër të zhvillimit demokratik.
“Është diçka e mrekullueshme për vendin dhe shoqërinë. Kam reflektuar shumë dhe kam arritur në përfundimin se njerëzit dalin në rrugë për shkak të pritshmërive më të larta. Unë i kuptoj ata”, përfundoi Rama.





