Disa vatra zjarri kanë shpërthyer këtë të hënë në veri dhe qendër të Portugalisë, duke vënë në alarm autoritetet dhe duke mobilizuar mbi 1 mijë zjarrfikës, të mbështetur nga 20 avionë dhe helikopterë për shuarjen e flakëve.

Sipas Agjencisë Portugeze të Mbrojtjes Civile, situata më problematike raportohet në rajonet Santarem, Guarda, Braga dhe Bragança, ku zjarret kanë përfshirë kryesisht sipërfaqe me shkurre.

Operacionet po vështirësohen edhe nga vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin. Temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në rajonet qendrore dhe jugore të Portugalisë.

Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA) ka paralajmëruar se rreziku i zjarreve mbetet "shumë i lartë" në pothuajse të gjithë territorin e vendit, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.

Portugalia është një nga vendet evropiane që përballet çdo verë me zjarre të mëdha pyjore. Zjarri më i rëndë i këtij viti u regjistrua rreth një muaj më parë në zonën e Viseut, ku u shkatërruan rreth 130 mijë hektarë bimësi.

Ekspertët e lidhin përkeqësimin e situatës me ndryshimet klimatike, të cilat kanë sjellë valë më të shpeshta të të nxehtit dhe periudha më të gjata thatësire në Gadishullin Iberik.

Sipas autoriteteve meteorologjike, Portugalia regjistroi verën më të nxehtë që nga viti 1931, një tregues i ndikimit në rritje të fenomeneve ekstreme klimatike në vend.