Policia e Himarës ka vijuar kontrollet për ndotjen akustike në zonat turistike të Potamit dhe Dhërmiut, në kuadër të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë sezonit veror.

Gjatë verifikimeve, efektivët konstatuan se një beach bar në Potam vijonte të transmetonte muzikë rreth orës 00:30, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ligji për administrimin e zhurmës në mjedis.

Për këtë shkelje, pronari i subjektit, shtetasi me iniciale S. R., 37 vjeç, u ndëshkua me një gjobë prej 200 mijë lekësh.

Policia bën me dije se, përveç masës administrative, pronari i subjektit dhe pesë persona të tjerë, mes tyre edhe muzikanti 35-vjeçar i lokalit, u proceduan penalisht. Sipas autoriteteve, ata akuzohen se kanë prishur qetësinë publike dhe nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të ndërprerë aktivitetin muzikor.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik" dhe "Prishja e qetësisë publike".

Policia e Shtetit u ka bërë sërish thirrje pronarëve dhe administratorëve të lokaleve që organizojnë aktivitete me muzikë të respektojnë oraret e lejuara dhe kufijtë ligjorë të zhurmës, me qëllim garantimin e qetësisë publike gjatë sezonit turistik.