Partizani ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit Omar Pasagiç, i cili është përforcimi më i ri i skuadrës së kuqe në merkaton e verës.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku konfirmohet se 28-vjeçari ka firmosur një kontratë 1+1 me Partizanin.

Pasagiç, i lindur në Gjermani dhe me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina, vjen në Superiore pas eksperiencës së fundit me FC Metaloglobus Bukuresht në kampionatin rumun.

Mbrojtësi aktivizohet kryesisht në qendër të repartit defensiv dhe dallohet për faktin se luan me këmbën e majtë, një profil që Partizani synon ta shfrytëzojë për sezonin e ri.

Klubi bën me dije se Pasagiç do t'i bashkohet menjëherë skuadrës në Pogradec, aty ku të kuqtë po zhvillojnë fazën përgatitore në prag të nisjes së kampionatit.