Një lajm i trishtë ka prekur komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është ndarë nga jeta Lisa Milicaj Bajraktari, bashkëshortja e biznesmenit të njohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari.

Lajmin e bëri publik vetë Harry Bajraktari përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu dhimbjen për humbjen e partneres së tij të jetës.

“Humbja e saj ka sjellë një pikëllim të pamasë për familjet Bajraktari dhe Milicaj, si dhe për të gjithë ata që e njihnin dhe e donin atë”, shkroi ai.

Në mesazhin e tij, Bajraktari e kujtoi Lisën si një grua, nënë dhe gjyshe të përkushtuar, e cila gjatë gjithë jetës së saj mbeti e lidhur ngushtë me familjen, Shtetet e Bashkuara dhe kauzën shqiptare.

“U prehtë në paqe të përjetshme dhe kujtimi i saj qoftë gjithmonë një bekim”, thuhet më tej në reagim.

Sipas njoftimit të familjes, ceremonitë mortore do të zhvillohen të premten, më 31 korrik, në Pleasant Manor Funeral Home, në New York, ku familjarë, miq dhe të afërm do t’i japin lamtumirën e fundit Lisa Milicaj Bajraktarit.