Nëse keni plan të sëmureni këto ditë, ndoshta është mirë ta shtyni për më vonë. Të paktën këtë përshtypje lë një denoncim i publikuar në rrjetet sociale për gjendjen në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Sipas denoncimit, prej datës 22 spitali nuk kryen më analiza, ndërsa mungojnë medikamente dhe materiale bazë, si Paracetamoli venoz, Ondansetroni, Deksametazoni, shurupet për kollën dhe temperaturën, aparatet e serumit, kartelat infermierore e klinike, madje edhe detergjentët.

Raportohet se gjatë ditës së sotme është bërë një furnizim me serume, por sasia nuk mjafton as për disa ditë, ndërsa furnizimi i radhës pritet vetëm në fund të muajit shtator.

Në këto kushte, sipas denoncimit, pacientëve u mbetet të bëjnë atë që sistemi shëndetësor nuk arrin: të shkojnë në farmaci dhe të blejnë vetë ilaçet e materialet e nevojshme.

Ironia është se, ndërsa në letra shëndetësia ofrohet falas, në praktikë shumë qytetarë duket se duhet të shkojnë në spital me recetën... dhe me portofolin plot.

Deri në një reagim zyrtar nga autoritetet shëndetësore, këto mbeten pretendime të ngritura përmes një denoncimi publik.