Mediat franceze raportojnë se Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderave të AKSHI-t, është arrestuar në Francë.
Sipas gazetës franceze Le Journal du Dimanche, një shtetas shqiptar me inicialet Ermal B. u ndalua pasi fluturoi me një avion të vogël civil mbi centralin bërthamor të Penly, në Normandi, në një lartësi më të ulët se kufiri i lejuar.
Raportohet se, pasi u konstatua shkelja, Forcat Ajrore Franceze shoqëruan avionin deri në aeroportin e Albert, ku piloti u arrestua nga policia.
Sipas medias franceze, profili i të ndaluarit ka tërhequr vëmendjen e hetuesve. Në artikull thuhet se ai është i njohur për autoritetet franceze dhe shqiptare për çështje që lidhen me mashtrim financiar, mashtrim në grup të organizuar dhe aktivitete të lidhura me piraterinë kompjuterike. Gjithashtu, përmendet se ndaj tij ekziston një urdhër kërkimi nga autoritetet shqiptare.
Gjatë kontrollit, autoritetet franceze gjetën tre pajisje AirTag të fshehura në rrobat e tij. Sipas Le Journal du Dimanche, ky element ka shtyrë hetuesit të shqyrtojnë edhe pista të tjera hetimore, përfshirë mundësinë që piloti të ketë vepruar me udhëzime nga persona të tjerë. Deri më tani, autoritetet franceze nuk kanë bërë publike akuza për spiunazh, ndërsa hetimet vijojnë.
Sipas dëshmisë së cituar nga media franceze, piloti ka deklaruar se kishte gabuar lartësinë e fluturimit dhe se në momentin e kalimit mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Megjithatë, hetuesit kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi itinerarin e ndjekur gjatë fluturimit.
Për shkeljen e rregullave të fluturimit mbi zonën e ndaluar, ai është dënuar me një gjobë prej 7.000 eurosh, ndërsa më pas i është dorëzuar Zyrës Qendrore Franceze për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO). Sipas raportimit të medias franceze, pritet që procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë të vijojnë në përputhje me ligjin.
Ermal Beqiri është shpallur më herët në kërkim nga SPAK, në kuadër të hetimeve për çështjen e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).





