Armando Broja mund të jetë shumë pranë një aventure të re në futbollin italian. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është rikthyer në radarët e Lazios, e cila po kërkon të përforcojë repartin ofensiv për sezonin e ri.

Sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e klubit bardhekaltër kanë rifilluar kontaktet me Burnleyn për transferimin e 24-vjeçarit shqiptar, i cili shihet si një nga objektivat kryesorë të merkatos.

Trajneri Gennaro Gattuso kërkon të ketë sa më shpejt në dispozicion një qendërsulmues, ndërsa drejtori sportiv Angelo Fabiani, i cili e ka ndjekur Brojën edhe në të kaluarën, beson se këtë herë transferimi është më i realizueshëm.

Sipas medias italiane, Burnley është i gatshëm ta lejojë largimin e sulmuesit në formë huazimi, madje edhe pa detyrim blerjeje. Një formulë e tillë do ta bënte operacionin më të përballueshëm për klubin nga kryeqyteti italian.

Ndërkohë, Lazio vijon të punojë edhe për përforcimin e reparteve të tjera. Në mbrojtje mbetet objektiv talenti danez Noah Markmann, ndërsa për mesfushën po shqyrtohen alternativat Marco Brescianini dhe Giovanni Fabbian. Sipas raportimeve, Fiorentina është e gatshme të lejojë huazimin e Brescianinit pa detyrim blerjeje, me këtë të fundit që konsiderohet favorit për t'iu bashkuar Lazios.