Sporti dhe komuniteti akademik shqiptar janë në zi pas ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Artan Pogonit. Lajmi i trishtë u bë i ditur më 28 korrik , ndërsa paraprakisht dyshohet se 54-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak.
Prof. Dr. Artan Pogoni ishte një nga emrat më të spikatur në fushën e shkencave sportive në Shqipëri. Me një formim të gjerë akademik dhe katër diploma universitare, ai ndërtoi një karrierë të gjatë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, duke u fokusuar veçanërisht në rekreacionin sportiv, metodologjinë e stërvitjes dhe volejbollin.
Kontributi i tij në fushën akademike ishte i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm. Ai ishte autor i 12 botimeve shkencore dhe dy teksteve mësimore, të cilat shërbejnë si referencë për studentët, pedagogët dhe profesionistët e shkencave sportive.
Përmes punës së tij shumëvjeçare, Prof. Dr. Pogoni dha një ndikim të çmuar në zhvillimin e bazës teorike dhe praktike të shkencave sportive në vend, duke lënë pas një trashëgimi të vyer për brezat e rinj të studiuesve dhe sportistëve.
Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për sportin shqiptar, botën akademike dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të.





