Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Monika Kryemadhi akuzoi Prokurorinë se ka përzgjedhur në mënyrë selektive provat e përfshira në dosje.

Sipas Kryemadhit, në materialet hetimore janë lënë jashtë komunikime që ajo pretendon se ka pasur me kryeministrin Edi Rama, të cilat, sipas saj, janë më të shumta se komunikimet me ish-presidentin Ilir Meta.

“Ekzistojnë komunikime me Edi Ramën, më shumë se komunikime ndërveprimesh me Ilir Metën. Pse ndryshon standardi? Ose njësoj për të gjitha provat, ose kemi seleksionim për të ndërtuar një akuzë politike”, u shpreh Kryemadhi në sallën e gjyqit.

Ajo pretendoi se Prokuroria ka përfshirë vetëm ato fragmente që, sipas saj, mbështesin akuzën, ndërsa ka përjashtuar komunikime të tjera me përmbajtje të ngjashme.

Sipas Kryemadhit, komunikimet e përmendura nuk dëshmojnë ndikim të paligjshëm, por lidhen me ushtrimin e detyrës dhe procedura administrative.

“Asnjë prej komunikimeve nuk tregon ndikim të paligjshëm. Ato tregojnë se bisedimet ishin në kuadër të një procedure administrative”, deklaroi ajo gjatë seancës.