Çarjet brenda Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Pas deklaratave të deputetit Vullnet Sinaj, tashmë edhe kryetari socialist i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i ka dalë hapur kundër projektit të mbështetur nga qeveria e Edi Ramës, duke kërkuar që Selenica të mbetet bashki më vete.
Përmes një reagimi publik, Bellaj hodhi poshtë deklaratat e deputetit Ardit Bido se "Selenica donte vetë të shkonte në Vlorë", duke i cilësuar ato të pavërteta dhe fyese për banorët e zonës.
"Askush nuk ka të drejtë të vendosë apo të flasë në emër të Bashkisë Selenicë. Vullneti i banorëve nuk mund të zëvendësohet nga dëshirat apo qëndrimet personale të askujt", shprehet Bellaj.
Kryebashkiaku thekson se qëndrimi i tij ka qenë i pandryshuar që prej fillimit të diskutimeve për reformën dhe se në Komisionin Parlamentar ka paraqitur argumente konkrete që, sipas tij, provojnë se Selenica i plotëson të gjitha kushtet për të vijuar si njësi vendore më vete.
Bellaj sjell në vëmendje edhe të dhënat e raportit të Komisionit të Reformës Territoriale, sipas të cilit Bashkia Selenicë renditet ndër 10 bashkitë më të mira në Shqipëri për raportin e investimeve ndaj shpenzimeve totale, një tregues që, sipas tij, dëshmon se fondet publike janë orientuar drejt zhvillimit dhe jo administratës.
Një tjetër argument që ai përdor është performanca financiare e bashkisë. Sipas Bellajt, Selenica renditet e 14-ta në nivel kombëtar për të ardhurat për frymë, ndërsa gjatë periudhës 2015-2025 të ardhurat vendore janë katërfishuar falë përmirësimit të administrimit të taksave dhe tarifave, e jo nga lejet e ndërtimit.
Kryebashkiaku socialist kërkon që vendimmarrja për reformën të mos bazohet në deklarata politike, por në interesin e komunitetit dhe treguesit realë të zhvillimit.
"Selenica duhet të mbetet bashki më vete. Ky është një detyrim ndaj qytetarëve, historisë, identitetit dhe potencialit të kësaj treve", përfundon Bellaj, duke shprehur besimin se deputetët e Qarkut Vlorë dhe Kuvendi do të marrin në konsideratë zërin e banorëve gjatë shqyrtimit të reformës.





